Njerez

Në kërkim të një strehe, e paralizuara me sytë nga qielli: Sa herë bie shi, përmbytem!

Nga Gazeta Si - Shpresa Spahiu, 49-vjeçarja paraplegjike jeton prej 5 vitesh në një garazh të një pallati 11-katësh në zonën e "Don Boskos".

Por gruaja nuk ka gjetur qetësi, megjithëse ambientin e ka përshtatur për kushtet e saj fizike, pasi sa herë bie shi, "shtëpiza" e saj përmbytet.

Shirat e rrëmbyeshëm të nëntorit ia dëmtuan pajisjet elektroshtëpiake duke nxjerrë jashtë funksioni lavatriçen, kundrabufenë, ndërsa lagështira ka prekur disa centimetra lartësi edhe muret e shtëpisë. Gjurmët e shirave më të fundit, duken akoma tek muret dhe mobiljet e shtëpisë.

LEXO EDHE:
Historia e Shpresës, 48-vjeçarja paraplegjike që jeton në garazh: Ëndërroj të kem shtëpinë time një ditë

"Nuk e di çfarë të bëj. Uji futet nga kanalet e bllokuara. Arriti deri tek këmbët e mia të vendosura në karrocën ku qëndroj sepse jam e paralizuar. Sa herë bie shi, gjithçka kam vendosur më dëmtohet dhe detyrohem të paguaj vetë dëmet. Lavatriçes iu dogj një pajisje nga shiu që depërtoi dhe pagova 70 mijë lek për ta riparuar", thotë gruaja e paralizuar, që të vetmen shoqe dhome ka një mace e cila i shërben ta mbrojë nga brejtësit që mund ti hyjnë nga kanali që kalon pranë derës së garazhit.

Teksa e pyet pse nuk sheh një ambient tjetër më të sigurt, Shpresa në dëshpërim thotë se qiranë e garazhit e paguan Bashkia e Tiranës. Por gjetja e një shtëpie në kushtet e kërkesave të larta, sidomos në zonën e saj, nuk është e lehtë.

"Unë s'largohem dot më shumë se në këtë zonë sepse kam vëllain që jeton këtu dhe më sheh herë pas here. Kam kërkuar para 5 viteve dhe ka qenë e vështirë, sepse unë dua shtëpi ku të heq dyert që të kaloj lirshëm me karrocë dhe askush nuk kërkon ndërhyrje në shtëpinë e tij. Përveç kësaj, qiraja e shtëpive është rritur dhe bashkia nuk më përballon dot me bonus," thotë 49-vjeçarja nga Burreli.

Shpresa është paralizuar shumë vite më parë, kur ishte 18-vjeç, 2 vite pas operacionit për heqjen e masës së tumorit në shtyllën kurrizore.

Ajo thotë se nuk dorëzohet. Ndonëse rri me sytë nga qielli, gruaja çdo ditë pastron aq sa mundet ambientin jashtë, ndërsa ngre zërin tek administratori i pallatit për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza. 

Sepse, siç thotë Shpresa, jo vetëm ajo ka fatin e keq të përmbytet. E njëjta gjë u ndodh dhe bizneseve në katet e para, ndaj ajo kërkon më shumë vëmendje nga komuniteti, institucionet përgjegjëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë