E diel, 28 Prill, 2024

MUNGESA E IDEVE ËSHTË ” LIGËSHTI DHE DEKË”

Një shoqëri që nuk e njeh evolutën ripërsërit fatalitet dhe jeton në kaosin dhe deprimin e aktualitetit të pastër. Një shoqëri që nuk e njeh evolutën bëhet pre e sharlatanëve mendjefyçkë që gjithnjë afishojnë mllefe kauzash personale. Një shoqëri që nuk njeh evolutën nuk ka një projekt të mirëmenduar për të ardhmen e vetë por dergjet në ” ligështi e dekë” mungese idesh.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Emancipimi i një shoqërie njeh evolutën. Evoluta mbetet një trajektore historike për një shoqëri që përmbrendëson aftësi korrigjuese, shndërrim dhe përvetësim vlerash. Evoluta njeh konstanta angazhimesh, dinamika të përhershme, vitalitet kreativ për t’iu dhënë përhershmërisht pērgjigje sfidave që dalin përpara qofshin ato edhe nga më të vështirat e mundshme. Evoluta njeh kompetencën dhe kredibilitetin, artikulimin korrekt për jetë të përbashkët dhe mbrothësi. Evoluta njeh dhe pranon si predispozitë idetë dhe procedimet politike në hapësirën publike dhe demokratike.
Evoluta është një koncept i gjerë gjithëpërfshirës kultivimi, rimendimi dhe ridimensionimi përballë realiteteve historike, politike dhe kulturore. Është një lëvizje që synon së thelli lëvrimin e ndjeshmërive dhe afirmimin e tyre në sheshin e lirisë, në hapësirën publike, aty ku mbruhen sentimentet e një qytetarie politike dhe kulturore. Është një renesancë e përhershme që merr forcë nga ideja e progresit dhe e lirive politike.
Evoluta nuk i njeh skemat, sepse nuk është njëtrajtshmëri ideologjike, por pasion i pandërprerë politik për të artikuluar një qytetari të përbashkët që shkon përtej inateve tipike që ngurtësojnë vullnete dhe prodhojnë meskinitete. Ajo përbrendëson vektorë të shumtë të jetës kolektive, duke krijuar komplamentaren brenda veçantive, brenda shumësisë që edhe mund të jetë me bazë kundërvënëse.
Evoluta e njeh të kaluarën, potencën e saj si eksperoencë, por nuk ngujohet në madhështi joproduktive, përkundrazi, impulset e saj i alternon në vilimet e së tashmës dhe horizontin e së ardhmes si ptincip dhe ligjësi afirmimi dhe jo si parullë poltike bjerakohëse. Ajo nuk njeh deprim dhe mbivlerësim, përkundrazi njeh vullnet politik dhe qytetar për të zgjeruar kufijtë e lirisë për të shtrirë gjallninë e individit në një hapësirë kultivimesh dhe marrëdhëniesh njerëzore që afirmojnë mirëqenien për të gjithë pjesëtarët e një kolektiviteti, të një shoqërie.
Evoluta njeh kritikën e argumentuar të mendjes politike dhe krijuese, njeh vullnetin për ndryshim përtej meskiniteteve shtirake të aktorëve që pasi kanë zhvatur shoqërinë shfaqen në role prometeu, përsëri me idenë e zhvatjes në emër të ndryshimit. Evoluta njeh koordinata të mirëmenduara dhe jo ” rebelkme” momenti kauzash personale që stërkeqin ndjeshmëri për kauzën e radhës personale.
Evoluta është përndritje mendjesh të hapura dhe kualitetesh dhe jo helm provincial, snobist që jeton me kompleksin e vëmendjes së munguar. Është mejtim vetmitar kahëzimesh mbrothësie dhe jo katran ngjitjesh të shpejta për në majat e përfitimit.
Një shoqëri që nuk e njeh evolutën ripërsërit fatalitet dhe jeton në kaosin dhe deprimin e aktualitetit të pastër. Një shoqëri që nuk e njeh evolutën bëhet pre e sharlatanëve mendjefyçkë që gjithnjë afishojnë mllefe kauzash personale. Një shoqëri që nuk njeh evolutën nuk ka një projekt të mirëmenduar për të ardhmen e vetë por dergjet në ” ligështi e dekë” mungese idesh. Pikërisht kështu e definonte mungesën e ideve Fishta në një shkrim të tij.

Të fundit