Zbardhen diskutimet brenda mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupimit të Berishës, ku është folur për aksionin opozitar.

Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb detaje nga diskutimet e djeshme me dyer të mbyllura, mes demokratëve dhe aleatëve të saj, ku të pranishëm ishin si çdo javë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Teksa Bardhi kërkoi që opozita të bllokonte çdo komision, të njëjtën linjë ka mbajtur edhe Berisha. Madje ky i fundit është ndalur dhe te çështja e tij e hapur me SPAK.

DISKUTIMET

GAZMENT BARDHI: Faleminderit të gjithëve për rezistencën ne Kuvendin e Shqipërisë dhe reagimin tuaj në mbrojtje të të drejtave tona kushtetuese. Me besoni që është jetike për opozitarizmin në vend ky reagim, pasi mazhoranca nuk na ka lënë asnjë rrugë tjetër dhe kërkon poshtërimin e opozitës. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ne duhet të vazhdojmë të vendosur në kërkesat tona. Jetë parlamentare normale nuk do të ketë, pasi na është mohuar çdo e drejtë për komisionet hetimore parlamentare ai dhe për ndryshimin e anëtarëve në komisionin e posaçëm të reformave zgjedhore. Përveç se nuk do të ketë jetë parlamentare në seanca, gjykoj që duhet ta shtrijmë edhe në bllokimin e punës në disa komisione. Në këtë drejtim kam dy propozime konkrete. Sot (dje) propozoj që në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës të shkojmë, për të shprehur arbitraritetin e tyre. Mirë do ishte të ishim të gjithë. Do të bllokojmë punimet normale të këtij sekretariati. Personalisht nuk do të jem dot për shkak se në të njëjtën ora kam lënë një takim në Ambasadën Britanike për ti informuar për situatën. Ndërkohë nesër (sot) që në orën 9.30 do të mblidhemi këtu dhe do të marrim pjesë në Konferencën e Kryetarëve për të mos lejuar punimet normale edhe aty. Të kemi të qartë që kjo është një rrugë nga e cila nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Kërkesat tona janë minimaliste, janë të drejtat tona. Nuk mund të lejojmë që mazhoranca të na mohojë atë që i takon opozitës. Mbetem i hapur për çdo sugjerim tjetër.

SAIMIR KORRESHI: Në ditën e sotme (dje, mbledhja e Sekretariatit të Etikes) duhet të shkojmë tek Sekretariati i Etikes, të gjithë si deputetë, pasi duhet të ndalojmë gjithë këtë abuzim që po behet nga mazhoranca. Duhet të bllokojmë punimet ne Kuvend. Ndërsa nesër (sot) po ashtu duhet të bllokojmë Konferencën e Kryetareve, se po miratuan ata Projektbuxhetin për vitin 2024, pastaj pse bëjmë beteje ne? Nëse ata e miratojnë do të thotë se ka normalitet ne Kuvend, ndërsa ne s’mund ta lejojmë normalitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Nesër (sot) të bllokojmë Konferencën e Kryetarëve. Dhe nuk duhet të mendojmë këtu plane afatgjate, aksionet tona duhen menduar rast pas rasti.

XHELAL MZIU: Unë jam i mendimit se ne duhet te mendojmë seriozisht grevën e urisë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca e ka tejkaluar masën në respektimin e parlamentarizmit.

SALI BERISHA:
Dua te sqaroj këtu se deputeti Bledjon Nallbati nuk e ka goditur deputetin Vullnet Sinaj. Kjo është e vërteta. Nuk mund te këtë seanca normale parlamentare kur ata nuk lejojnë që të kemi një funksionalitet normal. Derisa te plotësohen kërkesat tona, nuk do të këtë jetë parlamentare normale. Nuk mund të pranojmë të poshtërohemi.

FATMIR MEDIU: Në duhet të mblidhemi tashmë dhe të organizohemi dhe të krijojmë “Aleancën Opozitare”, ku të gjithë faktorët politikë të jemi të gjithë bashkë dhe të zhvillojmë takime në 12 qarqet e vendit. Duhet ta nisim këtë aksion ne terren.

SALI BERISHA: Sa i përket çështjes sime me SPAK, do i përgjigjem çdo pyetje që mund te keni për mua për t’ju dhënë informacion. Por ju them se kjo dosje është e montuar dhe unë me prova e fakte do e ç’montoj, pasi aty ka shumë falsifikime. Dua që kjo çështje te me takoje vetëm mua, është personale dhe nuk dua të përziej asnjë tjetër, as grupin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb