Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
AGRON SHALA
RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR
Flamuri shqiptar – shqiponja dykrenëshe e zezë në sfondin e kuq – është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huajve, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.
Pas 28 nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.
Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej – si ju tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.
Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1967, delegacioni i Kosovës i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me liderin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë pajtimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave. Mirëpo, ky vendim erdhi pasi më 1968 shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare: përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.
Këto demonstrata ishin kthesa kryesore në rrjedhat politike të Kosovës. Kërkimi i përdorimit të flamurit ishte luftë për identitet. E, ky identitet ishte halë në sy për serbët. Prandaj, më 1968, babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, thoshte: “Po ua lejuam flamurin, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë”.
Flamuri u lejua, por në vitet e ‘80-ta të shekullit nisën diskutimet edhe për ndërrimin e pamjes së tij, vetëm e vetëm të dallonte nga flamuri kombëtar që përdorej në Shqipëri. Një gjë e atillë u arrit deri-diku, duke e imponuar një yll të madh majtas, pra para shqiponjës dykrenëshe. Por, sa më shumë cenohej flamuri e luhej me të, sa më shumë që trashej ylli, aq më inati i vinte shqiptarit e më këmbëngulës bëhej ai në luftën e tij për liri.
Kosova u bë shtet 40 vite pas “legalizimit” të 1968-s. Profecia e Qosiqit u realizua jo krejt, sepse bashkimi me Shqipërinë nuk ndodhi. Ndërsa, flamur i Kosovës u bë një hartë e verdhë e Kosovës me gjashtë yje lartë, në një sfond të kaltër. Ide sa për të qenë, dhe një kombinim i keq ngjyrash.
Sidoqoftë, shqiptari i Kosovës, i Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Luginës së Preshevës, ndonëse në aspektin administrativ i “bindet” flamujve shtetërorë, identitetin prapë e shpreh përmes flamurit kombëtar. Për të dëshmuar besnikërinë ndaj çështjes kombëtare dhe identitetit shqiptar, ata i përkulen flamurit dhe e puthin me pietet, siç bëri Isa Boletini në Vlorë, më 1912.
Flamuri është edhe thelbi i himnit kombëtar. Derisa tek popujt tjerë esenca e himneve ndërlidhet me atdheun, kombin, luftën, lirinë, sundimtarët, Zotin, tek shqiptarët në qendër është flamuri.
“O Flamur, flamur, shenj’ e shenjtë/ tek ti betohemi këtu/ për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë/ për nder’ edhe lavdimn e tu”, thotë një varg i himnit.
Me këtë flamur u shpallë pavarësia Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Gjatë historisë atij i shtoheshin “dekore”: herë përkrenarja e Skënderbeut, herë simbolet fashiste, e herë ylli i Davidit apo ai komunist. Por, thelbi nuk u ndryshua: shqiponja dykrenëshe e zezë me sfondin e kuq. Me këtë flamur kuqezi u bë edhe betimi në luftën e fundit në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës.
Por, gjërat kanë ndryshuar paksa tash vonë. Politika euro-atlantike i ka bërë politikanët shqiptarë të Kosovës më të “urtë”. Dhe, me këtë urtësi flamurin kombëtar e kanë vënë në plan të dytë. Dikush mund të thotë se kjo është lojë politike, dikush tjetër se s’kemi qare, e dikush se e “kënaqëm”. Për të ditur se cila është e vërteta, është mirë t’i kujtojmë shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni e Greqi, dhe kërkesat e tyre për përdorim të lirë të këtij simboli kombëtar, e po ashtu edhe urrejtjen që të tjerët e shprehin ndaj shqiptarëve pikërisht me djegien e tij, gjë që neve na bënë të plasim për inati.
Prandaj, “rreth flamurit të përbashkuar/ Me një dëshir` e një qëllim”, duhet të jemi të gjithë ne, siç thonë vargjet e para të himnit tonë kombëtar.
Pa marrë parasysh frustrimet që shqiptarët i kanë me origjinën e këtij himni, me muzikë dhe tekst të adaptuar rumun, ky himn është mishëruar në psikologjinë dhe patriotizmin shqiptar. Prandaj, me të drejtë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se frikën dhe optimizmin e mos shuarjes si komb shqiptarët e kanë përforcuar edhe nga Himni Kombëtar.
E, siç dihet, himni kombëtar është Hymni i Flamurit. Prandaj, kush nuk lufton për flamurin, “ai është i lindur tradhëtor”. Pikë.
***
NJËRI VERSION I PREJARDHJES SË SHQIPONJËS DYKRENËSHE
Shqiponja ka qenë dikur në periudhën e Romës antike simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Cezari etj. P.sh. ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Cezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Konstantini i madh.
Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të amshuar” (Romës). Sipas Kasem Biçokut, shqiponja dykrerëshe është përdorur si simbol pushteti dhe dokumentohet se është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë ilire, Konstantini, dhe më pas u bë traditë vendëse në të gjithë Ballkanin. U përdor edhe nga Skënderbeu, për të treguar se ishte përfaqësues i sundimit paraosman.
Se cila është rrjedha historike, Biçaku tregon: “Në lashtësi ka qenë shumë i përhapur totemizmi (lloj besimi që adhuronte kafshët dhe shpendët, duke i konsideruar si mbrojtës dhe themelues të njerëzimit). Shqiponja është konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vet perëndi. Ajo dhe luani janë konsideruar kudo si mbretër, përkatësisht të shpendëve dhe të kafshëve. Për këtë arsye figura e shqiponjës dhe luanit janë më përfaqësueset në heraldikat (stemat, shenjat) e vjetra. Shqiponja është simbol pushteti, guximi dhe lartësimi shpirtëror. Ka qenë simbol pushteti perandorak, prandaj është dhe në heraldikat e shumë vendeve.
Shqiponja me dy krerë është përdorur si simbol që në shekullin VII para erës sonë në Turkmenistan. Shqiponja e zezë me një kokë është përdorur si simbol në perandorinë romake dhe me përhapjen e krishterimit u përdor edhe nga kisha katolike.
Shqiponja dykrerëshe është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë ilire, Konstantini (306-337), themelues i Kostandinopojës, duke i krijuar perandorisë romake dy qendra administrative: Romën dhe Kostandinopojën. Dhe, shqiponja simbolizonte këto dy vende. Gjatë sundimit të perandorit ilir, Justiniani I (527-565), u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dykrenëshe, prandaj gjendet si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në shekullin X, në Perandorinë Bizantine shqiponja dykrenëshe shfaqet me krahë gjysmë të hapur dhe vazhdoi të shfaqej ashtu.
Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri Bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) – perandorit me origjinë Ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e Shqiponjës t’i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, perandoreshën Teodora. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe, si: princave rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë etj. Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një duzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte kulturore me Bizantin. Ndërkohë, ai shfaqet si simbol i kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes – Bizantit. Flamuri Bizantin ruhet sot në një nga manastiret e Malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale: shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.
Në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet sundimtare shqiptare të mesjetës, si: Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët, po ashtu edhe Çernojoviçët e Malit të Zi. Duke përdorur shqiponjën si simbol të pushtetit të tyre, dëshmohet se këto familje kanë qenë funksionare të larta gjatë Perandorisë Bizantine.
Me shembjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, shohim që nga Skënderbeu u përdor edhe ngjyra e flamurit të Bizantit dhe me këtë donte të tregonte se ishte vazhdues i pushtetit paraosman, megjithëse i bëri dallime qoftë stemës dhe flamurit, për ta dalluar nga ai i Bizantit. Në vulën e Skënderbeut, ku është shqiponja dykrenëshe, ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me gjashtë cepa. Mbi këtë yll është një yll tjetër me tetë rreze.
Kurse, në stemën e Kastriotëve që është gdhendur dy herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstantin Kastrioti, ylli është me tetë cepa dhe mbi krerët e shqiponjës janë dy kurora mbretërore. Me këto simbole Skënderbeu tregonte pretendimin se kishin prejardhje nga Aleksandri i Madh, gjë që është shprehur në epigrafin e Alfonsit në një kishë të Valencias në Spanjë. Pra, shqiponja dykrenëshe është përdorur masivisht nga sundimtarët si simbol pushteti dhe mund të konsiderohet traditë romako- bizantine.
Gjatë kohës së Rilindjes, aktivistët e saj të të gjitha feve e grupeve punonin dhe vepronin nën hijen e këtij flamuri edhe pse ai nuk ishte i standardizuar deri në kohën e krijimit të shtetit të parë shqiptar. Me kthimin e Ismail Qemailit në Vlorë, dhe krijimin e shtetit të parë të shqiptarëve bëhet edhe standarizimi i flamurit kombëtar shqiptar i cili ishte gjithashtu edhe flamuri shtetëror i qeverisë së parë të Shqipërisë. Ky flamur llogaritet si një ndër elementët kryesorë të kombit të tyre.
(Kompiluar nga: Wikipedia)
***
VERSIONI I JAHO BRAHAJT PËR SHQIPONJËN DHE PËR FLAMURIN
Një version i prejardhjes së flamurit të shqiptarëve, i vendosur shumë më herët në histori, me kohën e kultit pagan të diellit dhe simbolikës që përfaqësonte atë
Shqiponja dykrenëshe është e dokumentuar qartësisht tek paraardhësit tanë, që nga shek. VI p.e.r.(para erës së re).
Që në periudhën e bronzit kemi nga paraardhësit tanë, me formën e artit të lashtë, të dëshmuara koka të shpendit me drejtime të kundërta në objekte kulti dhe zbukurimi, por që gjithmonë edhe këto të dytat kanë ngarkesa religjioze të besimeve të lashta.
Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme në të gjitha epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme.
Interesi ynë është tek shqiponja dykrenëshe, që është emblema e flamurit kombëtar shqiptar. Shqiponjën dykrenëshe, së pari, e njohim tek Perandoria Hitite, 12 shekuj p.e.r., e pothuajse të njëkohshme pak më vonë e kemi tek popujt e Mesopotamisë së lashtë dhe në rajone të Iranit të sotëm.
Në lashtësi dhe në vazhdim shqiponja dykrenëshe përfaqëson fuqinë diellore në këtë e atë botë, botën tokësore dhe botën e përtejme, ditën dhe natën, si një trup i vetëm që ekziston i shfaqur vetëm me njësinë brenda unitetit të dyzuar. Përfaqëson ekuilibrin e ndryshimit ritmik të errësirë-dritës, të lëvizjes qiellore, që sjell ndryshimin e stinëve në mënyrë ritmike.
Në një fjalor lexojmë se ajo paraqet mashkullin dhe femrën (në bimësi dhe në qeniet e gjalla), si dy të kundërta të një uniteti të përbashkët. Në vazhdimësi do të hedhim dritë mbi kulte, besime e rite të trashëguara tek kombi ynë, nga lashtësia e deri në ditët e sotme, që lidhen me shqiponjën. Ndalemi dhe veçojmë dy nga këto atribute të shqiponjës dykrenëshe të dëshmuara tek paraardhësit tanë.
Shqiponja dykrenëshe përfaqëson dritën, por dhe errësirën.
Kjo na trashëgohet edhe nga gojëdhëna e lashtë e ruajtur në kronikat e Gjon Muzakës. Ky na shpjegon se simboli i lashtë epirot nga rridhte dera e tij, ishin dy pishtarë: kur njëri ndizej, tjetri shuhej e kështu me radhë; kur drita agonte nuk kishte errësirë dhe kur errësira binte nuk kishte dritë. Kjo është e lidhur me besimin e popullit tonë (dhe pothuaj mbarë popujve të botës), se kur dielli ndriçon botën tonë, atje (në botën e përtejme), nuk ka dritë dhe kundërta. Shqiponja udhëtonte sipas besimeve të lashta deri tek dielli, kjo e dëshmuar në mitet e besimet e Dodonës Pellazgjike, me shqiponjën me simbolin e rrufesë ndër kthetra që ia sillte Zeusit.
Që shqiponja udhëtonte drejt lartësive të qiellit, është e dëshmuar dhe në Bibël. Shqiponja drejtonte diellin që të lindte në botën tonë (sipas besimeve të lashta), por dhe e përcillte për të ndriçuar në botën e përtejme. Ajo kishte pushtet në drejtim të Lindjes nga kishte vazhdimisht të drejtuar njërën kokë, por edhe në Perëndim, për ku e përcillte diellin, nga ku e kishte të drejtuar tjetrën kokë.
Shqiptarët e kanë paraqitur shqiponjën, që në kohë të lashta, në objekte kulti e në artin popullor, pra mijëra vite përpara se ta vendosnin në stemat e tyre dhe në flamur.
Figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndron në kulmin e panteonit të kombit shqiptar, sepse veprimtaria e lavdishme të epokës së tij, solli procese të mëdha historike gjithëpërfshirëse kombëtare. Gjatë periudhës më se njëshekullore të luftës kundër furisë pushtuese të osmanëve, sidomos gjatë viteve të qëndresës nën udhëheqjen e Skënderbeut, u kristalizuan tiparet kombëtare, që erdhën prej thellësive të shekujve dhe u çimentuan në këtë fund mesjete.
Është i njohur fakti, që shqiponja dykrenëshe u pranua njëzëri, si flamuri i kombit shqiptar, më 2 mars 1444.
Figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndron në kulmin e panteonit të kombit shqiptar, sepse veprimtaria e lavdishme të epokës së tij, solli procese të mëdha historike gjithëpërfshirëse kombëtare. Gjatë periudhës më se njëshekullore të luftës kundër furisë pushtuese të osmanëve, sidomos gjatë viteve të qëndresës nën udhëheqjen e Skënderbeut, u kristalizuan tiparet kombëtare, që erdhën prej thellësive të shekujve dhe u çimentuan në këtë fund mesjete.
Është i njohur fakti, që shqiponja dykrenëshe u pranua njëzëri, si flamuri i kombit shqiptar, më 2 mars 1444.
Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë, që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe identiteti etnik.
Prej shekullit XV e këtej, tek ne shqiptarët, ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta. Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Deri më sot na ruhen disa monumente e dokumente, që e pasqyrojnë motivin e shqiponjës së Kastriotëve.
Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë, që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe identiteti etnik.
Prej shekullit XV e këtej, tek ne shqiptarët, ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta. Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Deri më sot na ruhen disa monumente e dokumente, që e pasqyrojnë motivin e shqiponjës së Kastriotëve.
Në vitin 1478, me rënien e shtetit të Skënderbeut, nis ndërprerja e kulturës heraldike në Shqipëri, pasi perandoria osmane nuk e aplikonte heraldikën si disiplinë kulturale dhe identifikuese. Në 1479 ra qyteti i Shkodrës, qendra më e lulëzuar e kulturës heraldike. Tradita spostohet në qytetin e Durrësit, qytet që rezistoi deri në vitin 1508, vit ky kur osmanët morën qytetin. Ulqini dhe Tivari e ruajtën traditën heraldike, por me sa duket viti 1508 shënoi agoninë e kulturës heraldike pasi ajo emigroi bashkë me fisnikërinë shqiptare në Venedik, Ankonë, Raguzë, Napoli etj. Më pas gjurmë janë gjetur në 1690 në qytetin e Pragës për të mbetur të konservuara deri në vitin 1797, si stemat e familjeve Avloniti, Barabati, Basani, Kapodistria, Gonemi, Lança, Trandafili etj.
Janë pikërisht 33 stema dhe shenja heraldike që dikur kanë zbukuruar kështjellat, oborret, parzmoret e kalorësve dhe familjeve më të moderuara, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka vetëm shtatë të tilla.
Shqiptarët pra kanë një traditë tipike europerëndimore në krijimin, materializimin dhe ruajtjen e stemave, flamujve dhe emblemave tjera princërore, mbretërore, nacionale, shtetërore dhe politike. Porse, për habi, ato më me zell janë mbledhur dhe ruajtur, madje edhe studiuar nga të huajt, sesa nga vetë shqiptarët. Sidoqoftë, kohëve të fundit në Kosovë e ka bërë një përpjekje të tillë Shyqyri Nimani, ndërkaq në Shqipëri me studimin e heraldikës merret Gjin Varfi.
***
SHQIPONJA NË SHTETIN E PARË TË ARBËRIT
Dëshminë e parë shtetërore të shqiponjës, e kemi te shqiponja njëkrenëshe e Shtetit të Arbërit me sundimtarin Progon (1190-1199). Shteti Arbërit u themelua më 1190 dhe për kryeqytet e kishte Krujën. Pas vdekjes së Progonit, më 1199, sundimin e Arbërit e trashëgoi i biri Gjini (1199-1208). Gjatë sundimit të Gjinit do të ndodhin ngjarje të rëndësishme: si pasojë e Kryqëzatës së Katërt do të përmbyset sundimi bizantin dhe do të krijohen formacione të reja territoriale. Në jug të Arbërisë themelohet Despotati i Epirit, në veri Mbretëria (serbe) e Rashkës, ndërsa në lindje Mbretëria Bullgare. Në këtë kohë, kur Republika e Venedikut po pushtonte një pas një qytetet shqiptare: Durrësin, Kaninën, Jerikonë … sundimtarët arbërorë do të krijojnë aleanca martesore me sundimtarët e vendeve fqinje me qëllim të sigurisë shtetërore.
Me rastin e kremtimit të jubileut të madh, 800-vjetorit të shtetit të Arbërit (1190-1990), Drejtoria e Përgjithshme e PTT-së Shqiptare, më 30 janar 1991, emetoi pullat postale me shqiponjën e Shtetit të Arbërit.
***
MUZAKAJT …
Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij në Shqipërinë e shekullit të XIV ishte edhe Princi Andrea i II-të Muzaka. Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij, si Arianitët, Matrengët, ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit mbretin serb Vukashinin që ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294). Pas kësaj fitoreje të bujshme, Perandori Bizantin Joani i V-të Paleologu i konfirmoi A. Muzakës titullin e despotit (princit), duke i dhuruar stemën Perandorake Bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke patur një pishtar në mes.
Këtë ndërrim simbolesh, humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në Memorialin e tij: “Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës tonë ka qenë një krua i gjallë i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë … Pastaj kanë patur shqiponjën me dy krerë të kurorëzuar me një yll në mes”. (Gjon Muzaka. Memorie. Tirane 1996. fq.24).
Pas këtij pasazhi të parë nga i njëjti burim mund të përmendim se në Kishën e madhe të Frankavilës në Otranto (Itali) ndodhet një tjetër epitaf i gdhendur mbi pllakën e varrit të Despotit Gjon Muzaka.
“I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qytetit i Bizantit trashëgoi shqiponjën dy krenare që mbante në flamur”.
***
SKËNDERBEU …
Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenëshe. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princ (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare. Tiranë 2000, fq. 27). Shqiponjën dykrenëshe e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lekë Dukagjini etj.
Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenëshe shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V-të, Mbreti i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës – 26 Mars 1451 (Gj. Varfi. Heraldika Shqiptare, fq. 32). Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arrnaldo Fonoleda.
Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti, i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës” (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq.434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Konstantin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur, Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenëshe me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentet zyrtare (Historia e Popullit Shqiptar, fq.433). Ndërkohë, kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut me 17 Janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre …
***
RIZBULIMI DHE IDENTITETI KUQEZI
“Ndoshta e dini që asnjë nga flamurët e fqinjëve tanë ballkanikë nuk është më i vjetër se njëqind e pesëdhjetë vjet. Disa prej atyre nuk e kanë mbushur as qindëshin akoma. Flamuri ynë është të pakën 500 vjet i vjetër, dhe ndoshta disa qindra vjet të tjera përmbi to. Është flamuri historik i Skënderbeut, kryetrimit kombëtar që luftoi njëzet e pesë vjet me radhë kundër Turqve; luftëtari i fundit në Ballkan, i cili ka përballuar Sulltanët më të mëdhenj të Turqisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria, e neveritur prej fuqive evropiane, ra në duart e Turqve. Për katërqind vjet me radhë atdheu ynë ka rënkuar nën zgjedhën e sulltanëve. Në këtë periudhë Flamuri i Skënderbeut u harrua, dhe askush nuk e dinte që ekzistonte, gjersa u zbulua prej një studenti të ri nga historia – në latinishte – e Skënderbeut nga Barleti. Ai student ishte Faik Konica…”, ka thënë Fan Noli.
“Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë një nga kampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë mjeshtëri më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe, veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skënderbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ia mohojnë as kundërshtarët më të egër”.
Kur e thotë këtë, Noli bazohet në tri tekstet e Faik Konicës për flamurin, që janë të zhanreve të ndryshme dhe janë shkruar në kohë të ndryshme: një poezi: Flamuri (1899); një artikull kritik: Flamuri i Shqipërisë (1909); dhe një ese: Flamuri (shkruar më vonë). Pikërisht në artikullin kritik Flamuri i Shqipërisë, të botuar në Albania, vëllimi XII, 1909, kemi informatat, në të cilat bazohet Konica për zbulimin e tij, ku në përfundim, konkludoi:
“Le të kërkojmë në këto vepra me rëndësi në bëhet fjalë për flamurin e Skënderbeut dhe ç’thuhetI. Anonimi i Tivarit, 1480 (i cituar prej Biemit, faqe 23) thotë: “L’isegna di Skander begh era un’aquila negra distinta in due tete sopra campo rosso”. Domethënë: “Flamuri i Skënder Beut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”.
II. Barleti, 1508 (fletë XV) thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis gerebat Scanderbegus”. Domethënë: “Skënder Beu mbante flamur të kuq të shkruar me shqiponjë të zezë dhe dykrerësh”.
III. Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë: “Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portoi une Aigle noire a deux testes”. Domethënë: “Në flamujt e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënder Beu kishte një shqiponjën e zezë me dy krerë”.
“Si e shihni, pra, o vëllezër, flamuri, i cili është një nga më të ndershmit dhe nga më të lëvuarit të botës, është pa dyshim edhe nga më të vjetrit”.Këtë artikull Faik Konica e shkroi në vigjilje të shpalljes së pavarësisë kombëtare, kur pamja e flamurit ishte imperativ. Dhe, që nga Shpallja e Pavarësisë (1912), flamuri kombëtar shqiptar ka shqiponjën e zezë dykrerëshe mbi sipërfaqe të kuqe.
Faik Konica në shënimin “Fiamuri kombëtar i shqiptarëve”, botuar në revistën “Albania” (15 shtator 1901), ndër të tjera shkruan: “Ngjyma kombëtare jona ësht e kuqja edhe e zeza; këto ngjyma të vëna bashkë janë shenji kombëtar i shqiptarëve”. Marin Barleti, për të cilin Konica thotë: “Qe shkodran dhe e kish parë me sy Skender Beun”.
Po ashtu edhe historianë të tjerë, konstatojnë se flamuri i Skënderbeut i ka pasur këto ngjyra. Në këtë kontekst flet Dr. Nikollaq P. Zografi në komentin “Pse u ngrit flamuri në Vlorë dhe jo në Durrës” (“Hylli i Dritës”, nr. 9-10, 1937). Autori në këtë punim përmend atdhetarin e devotshëm, diplomatin e madh, Ismail Qemalin, i cili me atdhetarë të tjerë, në Vlorë më 28 nëntor, 1912 “proklamuan Independencën Shqiptare me shkabën dy-krenore kuq – zi – kuq, dy ngjyra të cilat invokojnë pa dashur kujtimet e ditëve të zeza dhe të gjakut që u derdh për Shqipëri”.
I bazuar në zakonet e vjetra të kombit tonë, Bejtullah Destani në esenë “Historia e flamurit tonë kombëtar” (“Albanica”, Prishtinë, nr. 73, 2007) thotë: “Ngjyra e kuqe ka qenë shenja dalluese e fisnikëve në kohërat e vjetra. Pra është afër mendjes që edhe stërgjyshërit tanë ta kenë përdorur në këtë kuptim”.
Simbolikës së ngjyrave të flamurit tonë kombëtar kuptim më të gjerë i ka dhënë revista “Leka” në punimin “Shqipni, Liri, Flamur” (pa emër autori), botuar në numrin special të nëntorit 1937 me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shpipërisë. Në këtë punim është shkruar: “Shtroja e kuqe, toka, e shqipja e zezë, populli. E kuqja njihet në heraldikë si ngjyra mâ fisnike, e ka Martin, Zotin e luftës për planet. Përfaqëson zjermin e rubinit; difton dashtnin e Zotit e të robit, e prandaj bashkim. Këtë vështrim e shofim pá pra në drandofille të kuqe e cila merret prej gjithkuj si shembllesë dashtnije; shembullon marren, gjak të derdhun në luftë, lakmi hakmarrjeje, guxim, trimni, fuqi, madhni, bujari, fisniki të shqueme zotnim. Ngjyra e zezë âsht ngjyrë trishtimi, idhnim, kryengritje, hakmarrje, dëshpërim, dekë”.
Siç shkruan revista “Leka” (nëntor, 1937), sipas rrëfimeve popullore, kur është folur për shqiponjën dykrerëshe, është thënë: “Shifet se ka një vështrim bashkimi dymbretnish; e për Shqipnin ka vështrimin e bashkimit të dy vllaznivet që e përmbajnë këtë komb: Toskë e Gegë.
Në esenë “E kuqja dhe e zeza në shkrimet diskursive”, të botuar më 13 tetor në “Zëri”, Hysni Hoxha shkruan: “Simbolika e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar: e kuqja dhe e zeza strukturohen shpeshherë në krijimtarinë tonë poetike. Flamuri, që në krijimet e para, si frymëzim poetik, evokohet si simbol i shenjtë kombëtar, si në vjershën e Zef Skiroit: ‘Flamuri i arbërit’:
‘Fluturo te i rimti qiell/ Shejti flamur lyer me gjak’.
Fan S. Noli në vjershën e njohur: ‘Shpell’ e Dragobisë’ krijoi një figurë të re simbolike: Bajram Curri, trim i historisë sonë kombëtare, që u flijua për atdhe, në imagjinatën e Nolit është bajrak, flamur i gjallë, qenie e gjallë e mrekullueshme, që simbolizon heroizmin kombëtar në luftë kundër pushtuesve barbarë të trojeve tona etnike.
Në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar, që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë, ngjyra e kuqe, në 16 vjersha të zhanrit të himnit, si në vjershat e përmendura, është simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.
‘Me gjak e ngjyem flamurin ndër beteja/ Kur shkrepëtiu dhe gjëmoi rrufeja…’ (vjersha 28, me pseudonim i riu plak)
‘Prej Prokupje deri në Nish’, që e këndon rapsodi dhe atdhetari ynë, Dervish Shaqa, është këngë, thirrje e gjakut të qenies sonë, është gjëmë kundër forcave barbare të Serbisë. Prej fundit të vitit 1877 dhe fillimit të vitit 1878, pushteti barbar i Serbisë, me terror të organizuar vetëm gjatë tri ditëve dëboi me dhunë 700 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit! Në duart e barbarëve të Serbisë ra Nishi, ra Piroti, Pllana, Toplica, Prokupja, Vranja! Ranë edhe qytete dhe vise të tjera të stërgjyshëve tanë. Rapsodi ynë Dervish Shaqa i shqetësuar thellë këndon:
‘Hajde, hajde Zeqir Llausha/ Tre llogore me gjak i mbushe/ Ço’ Zeqir Bajrakun!/ – S’mund po e luej prej gjakut /- Ço’ Zeqir Bajrakun!/ – S’mund po e luej prej gjakut’.
Në këtë këngë rrëqethëse është krijuar imazhi më tragjik, më tronditës që evokon flamuri ynë kombëtar i skuqur, i shenjtëruar dhe i rënduar nga gjaku i derdhur i trimave tanë që u flijuan në mbrojtje të trojeve tona.
Si në poezinë gojore, lidhur me të cilën kemi shkruar, po ashtu edhe në poezinë e shkruar, fati i kombit shqyptar, identifikohet me flamurin tonë kombëtar, simbolin e shenjtëruar nga gjaku i trimave atdhetarë, që u flijuan për çlirimin e trojeve tona etnike, si në poezinë e Gjergj Fishtës, Asdrenit, Fan S. Nolit, Lasgush Poradecit, Dhimitër Shuteriqit etj.
Në himnet e poetëve tanë evokohet jo vetëm guximi, gatishmëria për sakrificë në mbrojtje të atdheut, por edhe virtytet e larta të qenies sonë kombëtare.
Në mes të fushës simbolike të flamurit tonë kombëtar për të cilën folëm, është shqiponja dykrerëshe, e cila edhe vetë është simbol, që evokon guximin, trimërinë, fuqinë, lirinë, lashtësinë e kombit tonë. Kombi ynë identifikohet edhe me vetë shqiponjën jo vetëm në krijimtarinë letrare, por edhe në valle popullore. Historiani bashkëkohor amerikan, Edwin Jacques në veprën ‘Shqiptarët’ (Shtëpia Botuese “Kartë e Pendë”, Tiranë) shkruan: ‘Ata nuk e quajtën vendin e tyre ‘Albania’, por ‘Shqipëria’, ‘Toka e Shqiponjës’. Ata nuk e quajtën veten ‘Albanians’ por Shqiptarë, ‘Bij të Shqiponjës’. Kështu ata u identifikuan me më fisnikun prej shpendëve që fluturon më lart, që çiftohet për jetë dhe që bën çerdhen ndër maja mbi dy mijë metra të larta’”.
***
***
RRUGËTIMI I FLAMURIT TË PAVARËSISË, SIPAS EQEREM BEJ VLORËS
Don Alandro Kastrioti ishte një princ spanjoll. Një stërgjysh i tij kish qenë nën mbret i Napolit. Në vitin 1600 ky fisnik ishte martuar me markezen Auleta Kastrioti. Me një origjinë të tillë Don Alandroja e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike evropiane. Diku në vitin 1907, Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e Ismail Qemalit dhe njëri prej personaliteteve më të shquara të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (E. B. Vlora, Kujtime. Tirane 2003. fq.215). Takimin me këtë “personazh të çuditshëm” ai e përshkruan kështu: “Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka, një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para Don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur… dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar: një shqiponjë e zezë dykrenëshe në fushë të kuqe dhe ma dha mua… Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë …
Lidhur me flamurin shqiptar, Eqerem Bej Vlora shkruan po ashtu: “Historia e Flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës. Në veprën e tij, ‘Jetët paralele’, Plutarku thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Heraklesë (280 para Krishtit), kur dëgjoi luftëtarët e tij tek po këndonin një këngë, ku e shquanin si shqiponjë, ai iu tha atyre: ‘Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni krahët që më sollët fitimtarë deri këtu’. Në monedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit duket një shqiponjë, që mban në kthetra rrufetë e Zeusit. Po kështu, kalorësit e Skënderbeut (Sipas ‘De vita… Georgi Castrioti’ të Barletit) gjatë fushatës së tij në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit, në luftën kundër baronëve, mbanin flamuj të vegjël, të kuq, me një shqiponjë të zezë dykrenëshe në mes.
Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak (bizantin,gjerman, rus). Sundimtarët e mëdhenj dhe të vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan ta mbajnë këtë simbol pushteti.
Kështu, mbase, ka bërë dhe Skënderbeu. Sidoqoftë, në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë. Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Mërisë së engjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi dy krerët.
Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan, thuajse në çdo numër, këtë emblemë, si flamur të Shqipërisë.
Pas 1900-ës, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij ‘Albania’ në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, së bashku me djelmërinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës ‘Pirrua’ të Mihal Gramenos. Aty, kur kryepriftëresha e Orikumit i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit, i thotë: ‘Me këtë shenjë ti do të fitosh (in hoc signo vinces)’. Në prani të prefektit, oficerëve turq, si edhe të gjithë trupit konsullor, me shaka, por edhe me një farë kapaidallëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar.
Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndie, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje.
Euforia atdhetare krijoi një gjendje të nderur. Natyrisht, që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm, që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai, Ferit pasha, asokohe, ministër i Brendshëm. Ai e quajti ‘të pahijshme’ këtë sfidë në shtëpinë time dhe para të ftuarve të mi…
Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar.
Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur ‘rroftë, rroftë’ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.
Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: ‘Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak’. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht : ‘Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri’.
Por, natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai, tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që ka e kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)! Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë”!
(Eqrem Bej Vlora. Kujtime, Tiranë 2003)
***
MISTERI I FLAMURIT TË 28 NËNTORIT 1912
Simboli i pavarësisë në 28 nëntor 1912, flamuri, vazhdon të ketë disa enigma të pazgjidhura deri në ditët e sotme. 100 vjet më vonë, nuk është zbuluar ende se cili ishte ai person që solli flamurin në Vlorë dhe ia dha Ismail Qemalit, që më pas, me krenari valëviti flamurin e parë të Shqipërisë së pavarur. Dokumentet e shkruara dhe fotografitë mungojnë. Kjo është arsyeja përse gjendemi sot përballë aq shumë hipotezave apo fakteve që lënë vend për dyshim, se kush e solli flamurin dhe nëse mund të zbulohet e vërteta historike.
Varianti i parë
Në verën e vitit 1911, zonja Marigo Pozio, me pretekstin se do të mjekohej, udhëtoi drejt ishullit të Korfuzit. Aty takohet me përfaqësues nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek. Midis tyre ishin edhe përfaqësues nga SHBA-ja të dërguar nga shoqëria patriotike “Besa-Besën”. Patrioti Kola, me të vëllain Thoma Katundi i dorëzuan zonjës Marigo flamurin me të cilin ajo u kthye në Vlorë duke e veshur nën teshat e saj. Një vit më vonë, Marigoja ia dhuroi këtë flamur plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, për ta ngritur në 28 nëntor, në ballkonin e shtëpisë së Xhemal Beut.
Gazeta “Arbëria” që dilte në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan se “Flamurin kombëtar që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga Ismail Qemali është qëndisur nga Marigo Posio mbi copën e blerë te tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes që kishin vizatuar patriotët don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë e dinin dhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj punoi dhe 500 flamuj për zyrat e ndryshme të shtetit të parë shqiptar”.
Varianti i dytë
Shumë patriotë kanë të njëjtin mendim se flamuri i ngritur në 28 nëntor është pikturuar nga vetë dora e zonjës Marigo, sipas modelit të shqipes së vizatuar nga Dom Mark Vasa. Këtë hipotezë e mbështet edhe zonja që ka punuar pranë Marigosë gjatë të gjithë jetës. Ndërsa, flamuri prej Amerikës që solli Marigoja iu dorëzua Llambi Bimblit, i paprekur kur këta po niseshin për në Korçë dhe ky flamur u ngrit kur Korça deklaroi nga ana e saj pavarësinë. “Flamuri që bëmë ne nuk është krejt i kuq, por në ngjyrën e specit”, kujton ndihmësja e Marigosë.
Varianti i tretë
Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte dhuruar Don Aladro Kastrioti dhe se kishin qenë ata që e dorëzuan më pas tek Ismail Qemali.
Varianti i katërt
Revista “Hylli i Dritës” shkruante në vitet pas pavarësisë se Ismail Qemali, duke ardhur nga Vjena, u ndal në Kotor dhe atje ka marrë një flamur diku tek dy metra të gjatë.
Varianti i pestë
Patrioti korçar, Thoma Nasi, në autobiografinë e tij shkruan se në vitin 1911, së bashku me një numër tjetër patriotësh, u kthyen në atdhe me qëllim që të luftonin kundër armikut dhe njëkohësisht sollën edhe flamurin e parë, që u ngrit më pas në datën 28 nëntor 1912 prej Ismail Qemalit.
Varianti i gjashtë
Spiridon Ilo dhe patriotë të tjerë tregojnë se grupi që u nis nga Rumania për të shpallur pavarësinë kishte marrë me vete edhe atë që do të shndërrohej në flamurin e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Kjo dokumentohet me fjalët që Spiridoni i ka thënë djalit të tij: “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht, unë e kam mbajtur në gji që nga Bukureshti e deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e valëvita në parmak me sqepar”.
Sipas këtij versioni, flamuri që Ismail Qemali ka ngritur në Vlorë dhe që simbolikisht shënon pavarësinë, është po ai që zbukuronte podiumin e hotel “Kontinentalit” në Bukuresht, mbrëmjen e 5 nëntorit 1912. Takimi i Ismail Qemalit me patriotët Shqiptarë të Bukureshtit, u bë vendimtar për shpalljen e pavarësisë, që u bë realitet 23 ditë me vonë në Vlorë.
Varianti i shtatë
Spiridoni, me flamurin që kishte me vete, bujti tek shtëpia e Marigo Pozios, meqë ishte kushërira e parë e tij. Marigoja i qëndisi flamurit thekët e verdhë, për ta bërë ashtu siç e tregoi Spiridoni, në kartolinën e vitit 1920.
Varianti i tetë
Eqerem bej Vlora, në kujtimet e tij shkruan se ai që u ngrit në datën 28 nëntor 1912 ishte flamuri i shtëpisë së tij, të cilin e ruante në një kornizë, pasi i ishte dhuruar nga Aladro Kastrioti.
Varianti i nëntë
Nga gazeta “Kolonja”, në vitin 2001 është shkruar: “Asim Dika ishte ai që mori flamurin e qëndisur nga motrat Qirjazi dhe ia çoi Ismail Qemalit në Vlorë”.
Varianti i dhjetë
Në librin e tij, “Patriotizma dhe Nacionalizma”, patrioti Kristo Floqi flet për flamurin e ngritur në Vlorë në vitin 1912, duke paraqitur të dhëna të tjera mbi origjinën e flamurit, të dhëna që ai i ka krahasuar edhe me të vëllain e tij, juristin Thanas Floqi.
***
VERSIONET E FLAMURIT
Fillimisht, forma e shkabës së zezë dykrenëshe mbi fushën e kuqe nuk ka qenë kjo që njohim në ditët e sotme. Ajo nuk ka pasur këtë formë kaq klasike, por ka njohur forma që shumëkush dëshiron t’i përdorë akoma edhe sot e kësaj dite, pra, më natyrale e ndoshta, edhe më të bukura. Shpeshherë ajo është shoqëruar me simbole të tjera, duke filluar që nga përkrenarja e Skënderbeut e deri te yjet me pesë apo me gjashtë cepa. Edhe ngjyra e kuqe, në sfond të flamurit, ka ndryshuar shpesh forcën apo tonin, duke u dukur herë më e zjarrtë e herë më e mbyllur, gati në të murrme.
Gjatë kësaj kohe disa qeveri e grupime politike kanë dashur ta rishikojnë disa herë formën e simbolit kombëtar si për të treguar se me to fillon ndryshimi. Kështu, për shembull njihen disa versione të ndryshme gjatë kohës së periudhës së viteve të para të pavarësisë e të krijimit të shtetit të ri shqiptar, si: vitet e Këshillit të Regjencës, Republikës Autonome Franceze të Korçës, Republikës Parlamentare në fillim të viteve ’20 dhe kohës së Mbretit Zog.
Më pas, ato pasohen me veshjen e shkabës shqiptare me simbolet e kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë (sëpatat romake), qeverisë së kohës së pushtimit gjerman (këshilli i regjencës). Kjo periudhë pasohet nga një periudhë shumë e gjatë, ajo e regjimit komunist, e cila njohu vënien e yllit pesëcepësh me nuanca të verdha në krye të shkabës dykrenëshe. Edhe forma e shqiponjës tashmë njohu një ndryshim, megjithëse jo shumë të madh, por që gjithsesi vihet re qartë, pasi u bë më klasike dhe iu largua versionit të mëparshëm që ngjiste më shumë me “shpendin krenar” në origjinalin e tij.
Me rënien e komunizmit, u hoq ylli pesëcepësh dhe për disa kohë pati diskutime për vënien apo rivënien e përkrenares së Skënderbeut mbi shkabën e zezë, e cila pak a shumë, ka mbetur në formë e njëjtë me atë të kohës së monizmit. Në legjislaturat e para të Kuvendit të ri, pas vitit 1990, pati tentativa apo mendime për ta riparë formën e saj e për t’ia përshtatur modeleve të hershme, pra, të mos ishte si një stampë, kaq klasike, por më natyrale e ndoshta të dukeshin edhe forma e pendëve apo luspave në trupin e krahët e saj.
Por, flamuri nuk njeh vetëm një version, pasi edhe vetë ato, sipas funksioneve që përdoren, ndryshojnë shpesh edhe formën dhe përmbajtjen. Kështu, p.sh., flota luftarako-detare ka flamurin e saj të dallueshëm qartë nga flamujt e tjerë që përdoren për ceremoni shtetërore, njësitë e tjera ushtarake e pse jo, edhe shoqata e grupime të tjera qeveritare e joqeveritare përgjatë kohërave.
Flamuri tashmë ka vetëm elementin e shqiponjës dykrenëshe të zezë në fushën e kuqe. Stema e shtetit ka pamjen e një shqyti të kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë. Më 21 tetor 1998, stemës i shtohet përkrenarja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Pamjen përfundimtare të simbolit tonë kombëtar ia dha ligji i miratuar në Kuvendin i Shqipërisë më datë 22 korrik 2002, ku pjesa e caktuar për flamurin përcakton se ai përbëhet prej këtyre elementëve: një fushë e kuqe gjaku me një shqiponjë të zezë dykrenëshe në mes, me krahë të hapur anash. Secili krah i shqiponjës ka 9 pendë e bishti ka gjithsej shtatë. Raporti i dimensioneve të flamurit tashmë është: 1 x 1,4. Sipas ligjit, çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e mbajtjes e përdorimit të flamurit kombëtar, ndërsa për institucionet publike është i detyrueshëm në mjediset e jashtme e të brendshme.
***
HISTORIA E HIMNIT TË FLAMURIT DHE TENTIMET PËR TA NDRYSHUAR KËTË “PLAGJIATURË”
Një emigrant shqiptar i Bukureshtit, poet i ri në atë kohë, Aleks Drenova, ka shkruar ca vargje – ose më saktë ka përkthyer e përshtatur një poezi rumune – diku në vitin 1907 ose 1908, atëherë kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet. Muzikën e bëri – apo e përshtati – një rumun. Shqiptarët e Bukureshtit arritën ta sillnin himnin, muzikën dhe fjalë bashkën në Shqipëri. Më 28 Nëntor 1912, flamuri dhe himni u bashkuan, më në fund në Vlorë. Në kohën që flamuri i saposhpalosur shpallte lindjen e shtetit të ri, himni i tij u këndua për herë të parë në të njëjtin shesh.
Ky himn, i adaptuar me tekst dhe muzikë, ngjallë shumë reagime ndër shqiptar. Gjatë 100 vjetëve të ekzistencës së shtetit të Shqipërisë, ka pas shumë tentative që të bëhet një himn tjetër, origjinal shqiptar. Por, këto tentime kanë dështuar.
Në lidhje me “Himnin e Flamurit”, Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, megjithatë përmend një aspekt pozitiv.
“Frikën dhe optimizmin e mos shuarjes si komb, populli ynë e ka betonuar edhe te Himni Kombëtar”, ka thënë ai.
Studiuesi, kompozitori dhe akademiku Vasil Tole, në një studim rreth himnit kombëtar shkruan: “Problemi i shqyrtimit të historisë së krijimit të himnit tonë kombëtar ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ (apo qoftë edhe i bërjes ose jo të një himni tjetër), janë para së gjithash probleme për t’u diskutuar dhe rrahur nga muzikologjia shqiptare. Pohimi i këtij momenti në hyrje të shkrimit tonë ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç do të shohim më poshtë, mungesa e analizave, debateve artistike dhe problemore mbi lëndën në fjalë, në më të shumtën e rasteve ka sjellë shtrembërime dhe keqkuptime të pavend lidhur me sa më sipër. Për këtë arsye, por dhe për disa të tjera syresh, jemi përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi integral lidhur me himnin tonë kombëtar ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ të shprehim të çka dimë deri më sot rreth njërit prej simboleve tona kombëtare.
Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qenë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky lloj formimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 – ‘Wilhelmus van Nassouwe’. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është ‘Marcha de la Patria’, i Argjentinës kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme.
Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi. Por, ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet ‘Marcia Pontificiale’ dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë.
Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin ‘Himni kombëtar: Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij’ L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollësi lidhet me faktin e thjeshtë se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: ‘Me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçëm që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit’.
Nga këto radhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashtë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thënë: ‘Buxhakun para oxhakut’. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull ‘Kënga që s’kuptohet’, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.
Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin ‘The Guinnes Book of Music’, është shkruar si më poshtë: ‘Himni ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912. Fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni. Muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku’.
Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vërteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, ‘kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shenjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë’.
Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e ‘Betimit mi flamur’ ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.
Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e ‘Betimi mi flamur”’ (Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!
Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se ‘titulli ‘Betimi mi flamur’, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar’. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: ‘U vodh kënga nga zemra e kombit’. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor mbi flamur: ‘Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë’…
Na duhet të themi se mbas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek ‘Vallja e yjeve’ etj. E përbashkëta e gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së Asdrenit.
Mbi njatë flamur Perëndia
me dorë t’vet Ai ka shkrue:
Për shqiptarët do t’jet Shqupnia..
At. Gjergj Fishta
O vend e vatër
O nëne e babë.
Fan Stilian Noli
Një poezi të shkëlqyer përsa i përket referencës sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja:
Flamuri shqiptar
S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.
N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.
Qysh në vitin e parë të vendosjes së mbretërisë nga Ahmet Zogu, Shqipëria u bë edhe me himnin e mbretërisë. Në ndryshim nga himni ‘Betimi mi flamur’, himni i ri mbretërisë i kushtohej tërësisht figurës së mbretit, një traditë e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo Floqit. Një tjetër përpjekje për himn mbretëror kemi edhe nga Loni Logori, i cili nuk arriti të njihej si i tillë. Një variant i himnit të mbretërisë është interpretuar dhe regjistruar në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut në vitet ’20.
Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.
Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komision-juri, e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo Juri- dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07. 1937 drejtuar Komisionit qendror të kremtimeve të vetëqeverimit. Nga 76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.
O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim
Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt ‘Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit’. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të mëtëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar.
Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavarura (por me titullin ‘Hymni Mbretnor’), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit… Ky variant është botuar edhe me nota dhe hapet me strofën:
Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar
Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit ‘Hymni Mbretnor’, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin ‘…kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro’.
Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flamurit u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të ‘Himnit të Flamurit’, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës.
Pas pushtimit, në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizania Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj.
Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946.