Shkulje flokësh e gjak në hundë: Si u keqtrajtua 4-vjeçarja me aftësi të kufizuara nga logopedi në Podujevë - Gazeta Express
string(106) "shkulje-flokesh-e-gjak-ne-hunde-si-u-keqtrajtua-4-vjecarja-me-aftesi-te-kufizuara-nga-logopedi-ne-podujeve"

Shkulje flokësh e gjak në hundë: Si u keqtrajtua 4-vjeçarja me aftësi të kufizuara nga logopedi në Podujevë

Lajme

Gazeta Express

14/08/2023 13:42

Besart Sokoli logoped nga Podujeva po dyshohet se ka keqtrajtuar një vajzë 4-vjeçare. Rasti ka ndodhur të shtunën në ordinancën private “Logomedicus”.

Sokoli është arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 4-vjeçares të cilës ia ka shkulur flokët dhe lënduar hundën. Viktima është me aftësi të kufizuara.

Lexo Edhe:

N.S (iniciale të ndryshuara nga redaksia) është 4-vjeçarja e cila dyshohet se u keqtrajtua nga logopedi Besart Sokoli në Podujevë.  Ajo kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

Babai i viktimës në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhunë në trupin e fëmijut të tij ishin vrejtur në fund të javës së kaluar.

“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë mo ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune po nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjet çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjakë në hund dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës ai i ka thënë kam ushtru presion ma shumë se që duhet”, ka thënë R.S.

Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky llojë presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal e pyetja a ja bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici, vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares.Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

“Mu çka më ka ndodhë është si me vdek”, përfundoi R.S.

Pas denoncimit, Besar Sokoli është arrestuar nga policia ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore per zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.