Interesi i shtuar për investimet në bujqësi pritet të gjallërojëtregun e trojeve, i cili gjatë vitit2014 shënoi minimumin historik të transaksioneve. Çmimet kanë rënë ndjeshëm me 20-30 në 2014-n: Është koha për të blerë, përpara se gjallërimi i kërkesës t’i rrisë ato sërish
Disa kohë më parë, teksa udhëtoje në autostradën që lidh kryeqytetin me Durrësin, ishte thuajse e pamundur të mos vije re tabelat që të ofronin blerje të trojeve. E njëjta situatë paraqitej edhe në rrugët dytësore, sidomos mes fshatrave tëRrethit të Tiranës apo edhe Durrësit. Tabelat e kishin të përcaktuar çmimin, sipërfaqen, si dhe nuk mungonte numri i kontaktit.
Tani, në vitin 2015, n.q.s e përshkon rrugën Tiranë-Durrës, vihet re se këto tabela thuajse janë “zhdukur”. Por, çfarë ka ndodhur? Të gjitha tokat u shitën?
Në fakt, agjentët kryesorë imobiliarë në kryeqytet nuk e pohojnë një fakt të tillë. Përkundrazi, sipas ing. Xheni Jahja e “Tirana Real Estate”,2014 ishte viti i cili shënoi minimumin historik të transaksioneve për troje. Kërkesa ra. Të pakta ishin ato, të cilat më së shumti u konkretizuan për ndërtime shtëpie. Një tendencë kjo, e cila pritet tëreflektohet edhe gjatë këtij tremujori të parë të vitit 2015.
Megjithatë, atë për të cilën ing. Jahja ndihet pozitive është fakti që shndërrimi i sektorit të bujqësisë në një sektor gati prioritar, me rëndësinë që po i jep qeveria zhvillimit të saj, pritet një atmosferë optimiste për kërkesat për qira apo shitje të trojeve.
Ndërsa drejtuesi i një tjetër agjencie pasurish të patundshme, Dritan Caka, nga Dev Information, na bën me dije seçmimet e trojeve në zonat kryesore kanë pësuar rënie të ndjeshme. Faktorët kryesorë që ndikuan ishin moslejimi i ndërtimeve, në kushtet e krijimit të planit të përgjithshëm kombëtar. Me rilejimin e ndërtimeve për arsye vetjake si banim, apo edhe për kompani, pritet një rritje edhe e kërkesës, por edhe e çmimit të këtyre trojeve, në zonat kryesore.
Aktualisht, z. Caka merr shembullin e zonës pranë TEG, një tokë për banim aty varionte nga 100-150 euro/m². Sot mund të gjendet me një çmim prej 50-120 euro/m².Ndërsa për zonën e trojeve përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, një ndër zonat më të lakmuara nga biznese të ndryshme, z. Caka pohon se çmimi para dy viteve varionte në varësi të largësisë nga Tirana nga 150–250 euro/m², aktualisht janë 80–190euro/m² dhe në vijën e dytë nga 80-120 euro/m², aktualisht janë 50- 80 euro/m².
Për këtë vit, sipas parashikimeve të Tirana Real Estate, drejtuesja e saj ing. Jahja, pohon se pritet që kërkesat të jenë në rritje me rreth 10-15%, në raport me vitin 2014.
Një fakt që ajo bën të ditur, është se gjithashtu pritet qësipërmarrës në fushën e bujqësisëtë konkretizojnëinteresin e shfaqur për blerje apo marrje me qira të sipërfaqeve të konsiderueshme bujqësore, për zhvillim aktiviteti. Kjo do ta rigjallëronte këtë treg disi të përgjumur këto dy vitet e fundit.
Bregdeti shqiptar, ka ende interes?
Jemi ende larg çeljes së sezonit të verës, edhe pse kërkesapër troje në zona bregdetare mbetet një dëshirë për të investuar, në kushtet e të përballuarit të njëçmimi më të kripur. Megjithatë, vlen të theksojmë se vitet e fundit, Shqipëria ka parë lulëzimin e komplekseve turistike, koncept relativisht i ri për ne, ku në zona si Gjiri i Lalëzit, bregdeti i Qerretit dhe deri në Ksamil ofrojnë për pushuesit shtëpiza të tëra pushimi, me një sërëlehtësirash të përfshira në të.
A do të vijojë pjesa tjetër e bregdetit të ofrojë projekte të tilla? Ende nuk është i qartë ky parashikim, por ekspertët e pasurive të patundshme pohojnë me bindje se interesi për bregdetin shqiptar vijon të ekzistojë, ndonëse më tepër nga kompanitë, se sa individët, që e kanë të vështirë blerjen e minimumi 50 000 m² në një tokë me çmim “parajse”. Tjetër fakt që ekspertët pohojnë është se çmimi në bregdet ka mbetur “pezull”, duke mos ndryshuar shumë në dy vitet e fundit.
A kanë trojet sezonin e tyre, apo jo? Ekspertët e pasurive të patundshme pohojnë se kjo ndodh me apartamentet në bregdet, por trojet kanë si pikë kyçe të tyre studimin, infrastrukturën dhe anën ligjore. Gjithsesi nuk përjashtohen rastet kur, për hir të ndërtimit të një kompleksi turistik, kërkohet blerja e trojeve pranë zonave të tilla.
Drejtuesja e Tirana Real Estate, znj. Jahja, pohon se për zonën e Gjirit të Lalëzit, çmimet e tregut variojnë nga 25-130 euro/m², në varësi të largësisë nga vija detare, të cilat nuk kanë ndryshuar shumë këto dy vitet e fundit, kur nisi vitalizmi i zonës dhe ndërtimi i fshatrave turistikë.Ndërsa çmimet në bregdetin e Jugut, sërish nuk kanë pësuar lëvizje, i shohim nga tregu nga 50-150 euro/m².
Trojet për bujqësi
Bujqësia mbetet motor i zhvillimit të një vendi. Në kushte ku Shqipërisë i duhet të “luftojë” fort për të rritur prodhimin vendas, për të bërë të mundur edhe rritjen e eksporteve në shumë produkte,lehtësitë që ofron shteti shqiptar janë “Paketa e Bujqësisë”, që u bë e njohur bashkë me projektligjin për buxhetin 2015.
Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2015, synohet zgjerimi dhe përmirësimi i efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe formalizimi i sektorit të peshkimit. Më konkretisht, synohet rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve, duke sjellë për pasojë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare. Do të mbështeten financiarisht afërsisht 10,800 fermerë me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg (kostoja totale 1.9 miliardë lekë). Synohet dhe:
-Stimulimi i përdorimit të teknologjive të zhvilluara dhe inovacionit në sektor.
-Rritja e konkurrueshmërisë të prodhimit dhe agro-përpunimit në vend.
-Zbatimi rigoroz i legjislacionit në fuqi, si dhe i detyrimeve që rrjedhin për fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.
-Krijimi i kushteve favorizuese për rritjen e sigurisë ushqimore dhe rritjen e standardeve të tregtimit në sektorin e peshkimit, heqjen e barrierave tarifore për inputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial.
Alban Suzi, zv.ministri i Bujqësisë, i pyetur për Paketën e Bujqësisë, pohon se ka nisur zbatimi i shumë pikave të kësaj pakete të hyrë tashmë në fuqi, si dhe theksoi se po punohet për ngritjen e një grupi pune që do të monitorojë implementimin dhe zbatimin happashapi të kësaj pakete.
Ekspertët e pasurive të patundshme shprehen pozitivë se zbatimi i paketës dhe dhënia prioritet e sektorit të bujqësisë do të rrisë kërkesën për troje dhe si rrjedhojë, edhe të çmimit për to.
Rajoni, toka bujqësore vlera më të larta Shqipëria
Për vitin 2013, tokat bujqësore në Kroaci, sipas Raportit Factor Markets EU kanë variuar mes 5,000 deri 7,000 euro për hektar. (pra 0,5-0,7 euro/m²). Ndërkohë, raporti mes blerjeve dhe qirave mbetet me një hendek të madh, pasi qiraja është më e ulët, e zakonisht bëhet me kontrata 5-20 vite. Krahasuar me disa zona në vendin tonë, ku çmimi i tokës bujqësore më i lartëështë 909lekë/m² (Durrës, Romanat), pra rreth 6,5 euro/m² dhe çmime të ulëta në zona si Puka me 100 lekë/m², pra rreth 0,7 euro/m², duket se mesatarja e çmimeve për tokat bujqësore në Kroaci barazohet me zonat më të ulëta në vendin tonë.
Në Maqedoni, çmimi i trojeve shkon rreth 2,500-15,000 euro/hektar, për zonat malore, 15,000-25,000 euro/hektar për zonat fushore. Ndërkohë që çmimi për hapësirat për qira është rreth 5-25 euro/hektar në varësi të llojit të tokës dhe pozicionit. Krahasuar sërish me vendin tonë, 2,5euro/m² çmimi më i lartë në fqinjin tonë duket ende larg çmimit tonë më të lartë me 6,5 euro/m². Pra, Shqipëria qëndron lart me rreth 3euro/m².
Ndërsa në Turqi, çmimi i tokave bujqësore varion mes 50,000 dhe 80,000 lira/ha (afërsisht 19,000-30,000 euro/ha). Sigurisht, faktor kryesor mbetet lloji i tokës, sepse tokat më “pjellore” shkojnë deri në 150,000 lira/ha, pra rreth 55,845 euro/ha, ose ndryshe 5,58 euro/m², afër çmimit maksimal prej 6.5 euro/m² në vendin tonë.
Nga Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.