“Duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna…”, Musliu tregon për operimin në zemër që do ta kryejë jashtë vendit
Foto: Laura Hasani

“Duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna…”, Musliu tregon për operimin në zemër që do ta kryejë jashtë vendit

Aktuale February 19, 2024 - 09:09

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, do t’i nënshtrohet një operimi në zemër.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Musliu ka treguar se tash e dy vjet është kontrolluar në Klinikën e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK, por që ndërhyrja që asaj i duhet ta bëjë nuk kryhet në Kosovë dhe për këtë ka zgjedhur ta bëjë jashtë vendit, shkruan Zeri.info.

Musliu po ashtu ka bërë të ditur se për shkak të kësaj ndërhyrjeje asaj edhe i duhet që përkohësisht të largohet nga puna e përditshme që bën.

Reagimi i plotë i Musliut, pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë

Të dashur miq

Ju që më keni qëndruar pranë në momente shumë të lumtura dhe në momente shumë të rënda,

ju njoftoj se, pas një vizite të mjeku në QKUK, rreth dy vite më parë u diagnostikova me një problem në zemër.

Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në Repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua.

E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje.

Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse, por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë.

Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t'i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë.

Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t'u nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit.

Meqë me duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna ime e përditshme, dua t'ju falënderoj të gjithëve pa dallim, që më keni shkruar, jeni lutur për mua dhe më keni uruar gjithë të mirat.

Paçi edhe ju shëndetin dhe të gjitha të mirat në jetë.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. /Zëri